Serjan Xhevit Ahmeti – Jeta dhe Qëndresa


Serjan Xhevit Ahmeti, patriot from Lazarat, Albania – family history archive.

Lindja dhe rrënjët familjare (1900–1975)

  • 14 dhjetor 1900: Lindi në fshatin Lazërat, Gjirokastër, në një familje të thjeshtë e patriotike.
  • Babai i tij ishte pjesëtar i çetës së Lazëratit, duke luftuar në betejat e Janinës dhe Delvinës për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
  • U rrit me frymën e besës dhe dashurisë për vendin. Gjyshja përsëriste: “Për vendin vra e pre, e mos lësho kurrë, por për të huajn mos derdh gjak.”
  • Shkollën fillore e kreu në mejtepin e fshatit, Xhamia. Nga kjo shkollë kishte një medalion që familjes iu konfiskua gjatë regjimit komunist.

Lufta e Vlorës dhe Fan Noli (1920–1924)

  • Në moshën 19 vjeç, mori pjesë në Luftën e Vlorës (1920), duke u rreshtuar krah burrave të Lazëratit për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë.
  • Në vitin 1924, ishte ndër përkrahësit e qeverisë së Fan Nolit, si edhe shumica e lazëratasve. Vlen të theksohet se influenca bolshevike kishte lënë shenjë në bisedat e tij; përmendte me ironi se kur ishin të rinj u thoshin të besonin se “Drapër e Çekan do shpëtonte botën”.

Jeta gjatë Mbretërisë Zog (1925–1939)

  • Gjatë viteve të Mbretit Zog, Serjani, si shumë bashkëfshatarë, u mor me blegtori për të mbajtur familjen. Vlen të theksohet se kishte një mirëqenie shumë të mirë; gjithashtu punësonte disa barinj.
  • Ishte i njohur për ndershmërinë dhe burrninë e tij, duke ruajtur gjithmonë lidhjet e ngushta me fshatin, por edhe me të gjitha zonat e Gjirokastrës dhe Delvinës. Miqësitë e tij nuk e braktisën kurrë familjen e tij në vitet më të vështira në të ardhmen.
  • Janë të panumërta miqësitë familjare, ku secila ka një histori të veçantë, por më e veçanta është ajo e Familjes Bresa nga fshati Çai-Buzmar i Kukësit. Kjo familje sot ka një djalë me emrin e tij, Serjan Bresa, që jeton në Domje, Tiranë. Miqësia e tyre u krijua në këtë periudhë kohore dhe ruhet edhe sot.

Lufta e Dytë Botërore (1939–1944)

  • Serjani ishte përkrahës i Ballit Kombëtar si bindje politike, duke refuzuar të bëhej anëtar i Ballit, pasi nuk e donte luftën civile. Kjo gjë pasqyrohet edhe në veprimet e tij gjatë luftës, ku do sjellim disa tregime nga jeta e tij. Vlen të përmendim se Çeta e Lazëratit ishte asnjanëse në këtë periudhë dhe nuk merrte urdhra apo komandohej nga Kryesia e Ballit Kombëtar. Serjan Xheviti ka qenë në disa raste udhëheqës i Çetës, por si i zgjedhur ose i caktuar nga pleqësia.

Por si e arsyetonte Serjani këtë pozicion gjatë kësaj periudhe:

  1. Partizanët nuk mbanin flamurin kombëtar, por një yll të kuq pa lidhje me atdheun dhe simbolet kombëtare.
  2. Ata shkatërruan piramidën e kufirit shqiptaro–grek, akt që për Serjanin ishte i papranueshëm. “Nga Xhamia piramida dukej sa një burrë me shark.”
  3. Në Libohovë, partizanët kryen masakra ndaj popullsisë civile, duke vrarë pleq, gra, fëmijë, madje edhe familjen e patriotit Avni Rustemi.
  4. Komunistët nuk besonin në Zot, gjë që binte ndesh me besën dhe traditat e Lazëratit.

“Po ç’janë këta që luftojnë për atdheun pa simbole kombëtare, na prishin kufijtë e atdheut dhe na vrasin familjet e patriotëve?” “Kjo ishte një bindje e të gjithë burrave lazëratas, duke përjashtuar disa të rinj.”

Disa ngjarje nga veprimtaria e tij gjatë luftës, “kundër vëllavrasjes”

• Tetor 1943 – Qafa e Pazarit, Gjirokastër

Në Qafën e Pazarit të Gjirokastrës, Serjani qëlloi me armë kundër komandantit kuisling Idriz Jazo. Kjo ngjarje ka ndodhur në rrugën nga Qafa e Pazarit për në Poliklinikë.

“Në të djathtë qe një klub ku po këndohej e kishte zhurmë. Shkoi atje, mirëpo kur po afrohej vinte një erë e keqe që edhe brenda në klub kundërmonte. — Ore, ç’është kjo erë? – pyeti. — Gjermanët pushkatuan një komunist dhe e dogjën – iu përgjigj një nga ata. — Po ky që digjet, a është shqiptar? – u tha. — Edhe juve hani, pini dhe këndoni këtu, e ai digjet atje? Nxjerr pistoletën dhe qëllon, duke i nxjerrë të gjithë përjashta.”

• Ngjarja në Kardhiq – Shpëtimi i djalit të ri

Partizanët kishin marrë Ali Këlcyrën dhe kërcënonin ta vrisnin. Për këtë arsye Balli Kombëtar ishte mbledhur në Kardhiq. Aty ishte edhe Çeta e Lazëratit, midis tyre edhe Serjani.

Arsyeja e këtij grumbullimi masiv ishte të ushtronin presion mbi partizanët me qëllim negocimin e lirimit të Ali Këlcyrës, për shmangien e vëllavrasjes.

Partizanët ishin pozicionuar diku në malet pranë Fushëbardhës dhe Zhulatit.

Në një moment, Serjani pa që ishin grumbulluar shumë burra në formë rrethi dhe u bë kurioz të dinte ç’po ndodhte.

— “Ç’po ndodh aty, pse janë mbledhur ata burra?” – pyeti. — “Kane zënë një që qe nisur të vinte partizan, dhe do e pushkatojnë” – i thanë. — “Kush do e pushkatojë?” – pyeti. — “Ismail Golemi ka urdhëruar” – i thanë.

Menjëherë shkon dhe hyn midis burrave. Kur çau rrethin, pa një djalë të ri të lidhur te një hu.

Ju afrua dhe e pyeti me tallje: — “Po ti ç’bën këtu?” — “Po pse tallesh, më kanë lidhur dhe duan të më vrasin” – i tha djali. — “S’të vret dot njeri këtu, po mos u tremb” – dhe filloi ta zgjidhte.

Pasi e zgjidhi, e pyeti çfarë kishte me vete. — “Një dyfek, një pistoletë dhe një torbë me gjërat personale.”

Pyeti kush i kishte, t’ia jepnin menjëherë mbrapsht. Dyfeku dhe torba iu dhanë menjëherë. Pistoleta nuk iu dha.

Në këtë kohë del Ismail Golemi dhe e pyet: — “Serjan, ç’bën atje?” — “Ja, do liroj këtë partizanin të vejë ku qe nisur.”

— “Ç’të të bëj, o i zi, se ke nja 200 burra me vete, pa ta tregoja unë!” – ia ktheu Ismaili. — “Po, po, se zë ti bujq fushës së Kallos dhe ne do t’i lëmë t’i pushkatosh…” – ia ktheu Serjani.

Thirri një djalë nga fshati Kaso dhe i kërkoi ta shoqëronte partizanin. — “Jo,” – i tha Kasua, – “se unë e shpie këtë atje, po më vrasin ata mua pastaj.”

Djali ndërhyri: — “Ore, më hiq që këtej, se aty të garantoj unë, se vëllai im është komandant atje.”

— “Ok,” – tha Kasua, – “do vete. Po mos rri atje, të vish prapë.” — “Pa merak, do vij, po nuk më vranë.”

Dhe Kasua e shoqëroi te partizanët. Ata i kërkuan të rrinte, por ai refuzoi, megjithëse iu lutën të qëndronte me ta.

— “Jo,” – u tha, – “po jini burra, mos më qëlloni nga pas, tani që do zbres poshtë.” — “Pa merak,” – i thanë, – “je në besën tonë, nuk të qëllon njeri. Mirupafshim.”

Dhe u kthye në Kardhiq dhe i tha Serjanit se puna u krye.

• Shpëtimi i dy të rinjve të PK nga Kalaja e Gjirokastrës

Rrobaqepësi, një mik i tij, i kërkoi të shpëtonte dy djem të PK që ishin të burgosur në kalanë e Gjirokastrës dhe prisnin të pushkatoheshin.

— “Meqë ma kërkon ti, dhe për hir të miqësisë që kemi, do e bëj,” – i tha Serjani.

Vendi i takimit ishte te gjimnazi “A. Zeneli” (sot). Në burgun e kalasë punonte një lazëratas, Riza Skendi. Ai e ndihmoi të organizonte aratisjen. Kur i nxorën nga qelitë, ata filluan t’i hidhnin parulla (menduan se po i çonin në pushkatim). Me kërcënimin e armëve dhe duke i sqaruar se po i nxirrnin nga kalaja, i ndoqën pas te gjimnazi ku i prisnin njerëzit e tyre.

Ua dorëzoi dhe kjo punë u krye pa derdhur gjak. Nuk dihet kush ishin këta persona.

• Shpëtimi i partizanëve të kapur në Gjirokastër

Serjan Xheviti ishte gjithashtu një nga organizatorët për aratisjen e partizanëve të kapur në Gjirokastër dhe të sjellë tek Shkolla e fshatit për t’u pushkatuar nga Balli.

Kjo ngjarje është pasqyruar në librat për Lazëratin dhe nuk po e ritregojmë.

• Përballja e dytë me Ismail Golëmin – Goranxi

Aty Balli kishte mbledhur dhe mbante të arrestuar një grup të rinjsh nga zona e Zagorisë, partizanë; midis tyre kishte edhe minoritarë. Kjo gjë u mor vesh dhe Serjani, me një grup lazëratasish, shkon atje për të parë gjendjen.

Kur shkuan dhe panë që shumica ishin të rinj 16–20 vjeçarë, Serjani përsëri nuk pyeti njeri, por filloi t’i lironte.

Lajmërojnë dhe vjen Ismail Golëmi, i cili i thotë: — “Serjan, luftën po e humbasim, t’i vrasim sot se do na vrasin nesër.” — “Kë të vrasim, fëmijët?” – ia ktheu Serjani.

Një nga këta djem që shpëtoi ishte Sofua nga Sopiku, i cili e ka treguar vetë ngjarjen. Më pas Sofua u bë polic dhe ishte pikërisht ai që do ta arrestonte Serjanin — por këtë e tregojmë më poshtë, te pjesa e arrestimeve.

• Shpëtimet e tjera gjatë luftës

Ne, familja, kemi edhe raste të tjera ku ai ka shpëtuar jetën e disa vetave gjatë luftës, por nga sa përmendëm më lart, duket qartë se pozicioni i lazëratasve gjatë luftës ishte asnjanës dhe nuk vrisnin partizanë ose njerëz të pafajshëm.

Kjo gjendje vazhdoi deri më 18 korrik 1944, kur Lazërati u sulmua pabesisht nga partizanët.

Serjan Xheviti luftoi te Lëmi i Skëneres, bashkë me burrat e asaj lagjeje.

Kjo ngjarje solli armiqësinë dhe pikën ndarëse midis Partizanëve (Partisë Komuniste) dhe Serjan Xhevitit.

• Letra e Bedri Spahiut – Lista e pushkatimeve

Po në këtë vit, Bedri Spahiu, në mënyrë të fshehtë, me një korrier, i dërgon Serjan Xhevitit një letër me emrat e lazëratasve që, po t’i kapte Partia, do t’i pushkatonte.

Të gjithë ata që kishin emrin në listë u larguan nga Shqipëria.

Qëndresa ndaj komunizmit (1945–1967)

• Burgosja e parë – 1950

Pas luftës, regjimi komunist e burgosi disa herë.

  • 1950: U dënua me 3 vite burg për “mos hyrje në kooperativë” dhe “agjitacion e propagandë”.
  • U shpall kulak, me konfiskim të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.
  • U lirua në vitin 1953.

• Arrestimi i dytë – 1959

  • 1959: U arrestua sërish me akuza për agjitacion, propagandë dhe përgatitje për arratisje jashtë shtetit.
  • Akuza për bashkëpunim me sigurimin e huaj grek.

Sofua, që përmendëm më lart, ishte veshur polic dhe ishte ai që erdhi tek shtëpia për ta arrestuar dhe për t’i lexuar akuzën.

Pasi e dëgjoi akuzën, Serjani i tha:

— “Po nuk ka një djalë shqiptar që të më arrestojë mua e të më thotë ‘punon për grekun’? Po gjetët një grek dhe më thotë ‘punon për grekun’?!” — “Xha Serian,” – i tha Sofua, – “mua ma caktuan këtë detyrë.” — “Po më tha mirë Ismaili Golëmi: ‘T’ju vrasim se do na vrisni’…”

Akuza për bashkëpunim me të huajt nuk u vërtetua. U dënua 8 vjet për secilën nga akuzat e tjera; bashkimi i dy akuzave bënte ulje 4 vjet. Kështu që u dënua 12 vjet burg.

U lirua më 25 korrik 1967, pas plotësimit të afatit.

• Jeta në burg – Profesorë, partizanë, gjeneralë

Në burg, Serjani u bë mik me njerëz të njohur.

Profesor Eqrem Çabej i tha:

— “Serjan, lutju Zotit që të la pa shkollë, se me këtë kokë që ke ti, shtat pash nën dhé do të të kishin futur.”

Edhe komunistët partizanë, si Bedri Spahiu, gjeneralët dhe Halim Xhelo, që ishte në qelinë afër, i thoshin:

— “Serjan, do dalësh nesër, dëgjova. Shoku Sadiku (ishin partizanë bashkë) më ka thënë që në mes të fshatit keni një vend të shenjtë. Po do të të jap 100 lekë, jepja Xhemos t’i blejë qirinj e t’i ndezë për ne.”

Serjani iu përgjigj:

— “Mirë mo, do t’i marr, po Xhemua është muhipe e Baba Selimit, kurse ju jeni të Baba Stalinit. Do t’i blej qirinjtë dhe do t’i ndez te busti në Tiranë, se atë donit ju.”

• Torturat, kërcënimet dhe qëndrimi i pathyeshëm

Torturat, burgu, kërcënimet — asgjë nuk e trembi që ta mbyllte gojën.

Serjan Xheviti foli pa u trembur për të vërtetën dhe bindjet e tij, në burg por edhe jashtë.

Një ngjarje kur doli nga burgu:

Polici: — “Merr sharkun, Xha Serian, ikën sot, do dalësh.”

— “Ç’e dua që ta marr? Këtu do vij prapë,” – i tha Serjani.

Mori thesin me rroba, sharkun dhe doli.

Një polic e shoqëroi deri te rruga dhe i gjeti makinë për Gjirokastër. Polici e hipi në karroceri dhe porositi shoferin ta zbriste vetëm në Gjirokastër dhe të mos i merrte lekë.

Në karroceri ishin disa të rinj vlonjatë dhe një gjirokastrit që e njihte shumë mirë.

Serjani u ul mbi thes dhe hodhi sharkun krahëve.

Gjirokastriti filloi ta shante, duke u drejtuar nga të rinjtë:

— “E shikoni këtë? Është nga Lazërati. Këta ishin të gjithë ballista, nuk e duan Partinë, dhe ja sa doli nga burgu…”

Serjani nuk i foli fare, rrinte i qetë.

Një nga të rinjtë i tha:

— “Xhaxha!” — “Hë mo, djalë.” — “Të shau ky!” — “E, e dëgjova,” – i tha Serjani. — “Është e vërtetë? Ka pasur shumë ballista Lazërati?” — “Po, edhe pulat ballista ishin,” – i tha Serjani. — “Po pse nuk u bënë partizanë?” — “Se nuk ishin gomar si ky këtu,” – dhe tregoi me gisht gjirokastritin.

— “A more Serjan, kot që dole, aty do veç prapë,” – i tha gjirokastriti. — “E di mor, e di. I thashë dhe policit ta lija sharkun, po nuk më la,” – ia ktheu Serjani.

Fundi i jetës dhe trashëgimia (1967–1975)

  • Pas lirimit, jetoi në Lazërat, ku çdo ditë blinte gazetën, e lexonte dhe u thoshte: — “Doni ta dini të vërtetën? Kthejeni gazetën me kokëposhtë.”

I ndjeri Sali Rabi tregon se Xha Seriani lexonte gazetën pa syze. Kjo i bëri përshtypje dhe iu afrua ta pyeste: — “Xha Serian, nga sytë je mirë, lexon pa syze?” — “Po mo, shikoj dhe afër edhe larg. Ja, do të ta lexoj se ç’është shkruar atje,” – dhe tregoi me gisht nga berberana ku ishte shkruar parulla e PPSH-së. — “Po,” – i tha Saliu. — “Poshtë! Poshtë! Poshtë!”

Tavolina e tij me një karrige ishte vendi i tij i preferuar te klubi i fshatit.

  • 24 nëntor 1975: Mbylli sytë në shtëpinë e tij.
  • Ata që e njohën e cilësuan si “Simbol të qëndresës antikomuniste.”

Historia e Serjan Xhevit Ahmetit është një rrëfim i plotë i një jete të lidhur ngushtë me fatin e kombit: nga Lufta e Vlorës, tek Balli Kombëtar; nga humanizmi në kohë lufte, tek burgjet e komunizmit. Ai mbetet një figurë që mishëroi Besën, Trimërinë, Atdhedashurinë dhe Humanizmin Shqiptar.

https://kujto.al/personat/serjan-ahmeti/https://kujto.al/personat/serjan-ahmeti/

Comments

Leave a Reply

SHQIP-ENGLISH »

Discover more from Shoqata Kulturore Atdhetare Lazerati Michigan

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading